Të reja

Takim me përfaqësues të 16 bashkive në veri të vendit

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS) ka nisur një tur konsultimesh që shërbejnë për zbatimin e ligjit për “Mbrojtjen e Konsumatorit për produket jo ushqimore”.

MZHETTS, me mbështetjen e projektit të GIZ, organizoi në Shkodër një takim me përfaqësues të 16 bashkive në veri të vendit, si: Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Tropojë, Kukës, Fushë-Arrëz, Vau i Dejës, Has, Mat, Dibër, Klos, Bulqizë, Lezhë, Mirditë, Kurbin dhe Krujë.

Në këtë takim, ishin prezent edhe përfaqësues nga Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale, si institucion përgjegjës për çështjet që kanë të bëjnë me bashkërendimin e të gjitha masave, proceseve dhe mbështetjes administrative të 61 bashkive të vendit.

Takimi kishte për qëllim përfshirjen për herë të parë të përmirësimit të nivelit të mbrojtjes së konsumatorëve, për të drejtat e tyre, brenda fushës së zbatimit të ligjit nr. 9902 datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar dhe akteve nën ligjore në zbatim të tij në pushtetin vendor, një risi kjo që do t’ju sjellë më shumë informacion konsumatorëve shqiptarë dhe do u vijë në ndihmë për çdo ankesë në lidhje me produktet jo ushqimore dhe shërbimet që marrin sot në treg.

Gjatë këtij takimi u prezantua ligji për mbrojtjen e konsumatorëve, roli dhe funksioni që do të ketë njësia në bashki për zbatimin e tij, pasi në çdo bashki do të ngrihet një njësi që do të mbulojë ankesat dhe çështjet të cilat shqetësojnë konsumatorin.

Pjesëmarrësit diskutuan dhe ngritën pyetje në lidhje me funksionin e tyre si pika të rëndësishme kontakti me konsumatorët dhe me sektorin e Mbrojtjes së Konsumatorëve në MZHETTS, ku do të hartohet një plan i përbashkët pune midis Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe njësive të pushtetit vendor. Gjithashtu në takim u diskutua edhe për fazën e dytë të projektit pilot, atë të ngritjes së zyrave të mbrojtjes së konsumatorit.

Pjesëmarrësit u njohën më tej edhe me objektivat kryesore të Strategjisë “Për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut 2020”.

 

13245936_10154148251262403_896296996_n 13233332_10154148251372403_344787610_n 322trl2f 20160517_102721

Kjo faqe është krijuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, projekti i GIZ: Mbështetje për përafrimin e legjislacionit ekonomik dhe tregtar me acquis e BE-së.