Të nderuar konsumatorë,

Sigurimi i një niveli sa më të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve është një ndër prioritetet e Qeverisë Shqiptare, pasi rritjes së ekonomisë të një vendi, krahas bizneseve konkurruese, i nevojitet edhe kërkesë e fortë blerje nga ana e konsumatorëve. Për këtë arsye, konsumatorët zënë vend në qendër të politikave të zhvillimit të vendit. Konsumatorë të aftësuar dhe me besim, duke ushtruar fuqinë e tyre të zgjedhjes në blerjen e mallrave dhe shërbimeve, mund të shfrytëzojnë potencialin e tregut dhe ta bëjnë tregun të punojë për ta.

Vendi ynë është tashme ka marrë statusin e vendit kandidat drejt anëtarësimit në BE, gjë që për konsumatorët do të thotë një kuadër ligjor dhe institucional që siguron nivel të njëjtë mbrojtjeje të shëndetit, sigurisë dhe interesat ekonomike me konsumatorët e vendeve evropiane. Por, politikat dhe aktet ligjore për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve bëhen funksionale dhe nuk mbeten vetëm në letër kur ato gjejnë një zbatim efektiv në praktikë.

Këtij qëllimi do ti shërbejë kjo faqe e Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve, e cila do të jetë gjatë gjithë kohës në shërbimin tuaj, me informacionet e duhura për të drejtat e konsumatorëve, për praktikat e padrejta tregtare apo abuzimet e ndryshme me të cilat të gjithë mund të ndeshemi ne treg. Gjithashtu, këtu do t’ju jepet mundësia për tu ankuar online për shkeljet e të drejtave tuaja, duke ju siguruar se çdo ankese do të trajtohet me prioritet nga ky institucion.

Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit është krijuar në vitin 2009, në zbatim dhe për zbatim të Ligjit nr. 9902, datë 17.04.2008, “Për mbrojtjen e konsumatorëve”, i ndryshuar. Ky komision është një organ vendimmarrës, me kompetenca për ndalimin e shkeljeve, ndreqjen e tyre, dëmshpërblimin e konsumatorëve deri edhe për vendosjen e gjobave.

Ju falënderojmë që na vizituat.

Kjo faqe është krijuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, projekti i GIZ: Mbështetje për përafrimin e legjislacionit ekonomik dhe tregtar me acquis e BE-së.